Gjatë vitit 2025, tregu i veturave në Kosovë ka vazhduar të mbetet aktiv, me importin e automjeteve që përbën një nga sektorët kryesorë të importit në vendit.
Bazuar në të dhënat zyrtare të Open Data – Dogana e Kosovës, të analizuara dhe përpunuara nga AutoNet, në vitin 2025 janë importuar 44,207 vetura.
Nga ky numër total, 90% janë vetura të përdorura (39,877), ndërsa vetëm 10% janë vetura të reja (4,327). Kjo strukturë tregon qartë se Kosovaret vazhdojnë të preferojnë veturat e përdorura, kryesisht për shkak të çmimeve më të përballueshme .
Sipas burimeve nga Open Data - Dogana e Kosovës , veturat kanë qenë grupi kryesor i mallrave të importuara në Kosovë gjatë vitit 2025, me një vlerë të përgjithshme të importit prej rreth 651 milionë euro.
Veturat e përdorura vazhdojnë të dominojnë tregun
Dominimi i veturave të përdorura lidhet kryesisht me importin e automjeteve relativisht të reja, kryesisht në moshën 1–10 vjet, të cilat ofrojnë teknologji moderne, standarde të larta sigurie dhe kosto dukshëm më të ulëta krahasuar me veturat e reja.
Në përputhje me legjislacionin në fuqi, Kosova nuk lejon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, një masë që synon rritjen e sigurisë rrugore dhe reduktimin e ndotjes mjedisore. Analiza e tregut tregon se veturat me motor dizel vazhdojnë të dominojnë tregun e importeve në Kosovë gjatë vitit 2025.
Nga totali i veturave të importuara:
32,933 janë dizel
6,811 benzinë
3,521 hibride (pa prizë)
313 Plug-in Hybrid (PHEV)
607 vetura elektrike (BEV)

Pjesëmarrja e veturave elektrike dhe PHEV-ve mbetet shumë e ulët, duke reflektuar mungesën e politikave stimuluese dhe infrastrukturës adekuate për këtë segment.
Mungesa e politikave për veturat elektrike
Aktualisht, Kosova ende nuk ka politika të qarta dhe direkte për promovimin e veturave elektrike. Përveç lirimit të akcizës për veturat hibride, mungojnë subvencionet financiare, lehtësitë tatimore dhe mbështetja institucionale për zhvillimin e tregut të veturave elektrike, ndryshe nga shumë vende të rajonit.
Si rezultat, tregu mbetet kryesisht i varur nga veturat me motorë me djegie të brendshme, veçanërisht nga dizeli.
Importi i veturave nga Evropa ofron një nivel më të lartë sigurie, falë mirëmbajtjes në servise të autorizuara dhe përmbushjes së standardeve evropiane të cilësisë dhe sigurisë.
Importi i automjeteve për transport mallrash
Përveç veturave për pasagjerë, gjatë vitit 2025 janë importuar edhe automjete për transport mallrash. Edhe në këtë segment vërehet dominim i automjeteve të përdorura, me 14,869 automjete të përdorura kundrejt 371 automjeteve të reja, çka pasqyron orientimin e bizneseve drejt zgjidhjeve më ekonomike për flotat e tyre.

AutoNet: Digjitalizimi i tregut të veturave
AutoNet, e themeluar në vitin 2019, është platforma e parë online në Kosovë dhe rajon për blerjen e veturave nga Evropa. Përmes qasjes direkte në tregjet evropiane dhe përdorimit të teknologjisë digjitale, AutoNet ka lehtësuar procesin e blerjes dhe importit të veturave për klientë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Me fokus në transparencë, efikasitet dhe standarde evropiane, AutoNet vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në modernizimin e tregut të veturave në rajon.
Burimi: Open Data – Dogana e Kosovës | Përpunuar dhe analizuar nga AutoNet